Muratoria

Çfarë është Muratoria e Lirë?

Muratoria
Publikuar nga Gurthyesi

Mbi Muratorinë e Lirë ndoshta keni lexuar ose dëgjuar diçka, qoftë kjo edhe në formë thashethemesh. Do t’ju lutesha që për një moment të lini mënjanë e të harroni paragjykimet që mund të keni dhe të lexoni me vëmendje rreshtat e mëposhtëm.

Muratoria e Lirë nuk është as fe, as kishë, as sekt, as parti politike dhe as shoqëri konspirative. Është një bashkësi burrash me emër dhe nam të mirë.

Me siguri do pyesni: kush është pikësynimi i saj? Ç’qëllim ka? Po jua tregoj. Ka si qëllim të edukojë Burra me ndjenjën e humanizmit dhe tolerancës. Megjithatë, për t’ia arritur kësaj, Muratoria e Lirë nuk ka as program, as urdhëresa dhe as mësime fetare. Në librin që keni në duar, botuar fillimisht në gjuhën gjermane, jam munduar të shpjegoj paraqitjen e jashtme dhe disa nuanca të vogla historike të Muratorisë së Lirë. Por, megjithatë, Muratoria e Lirë, në kuptimin më të mirë të fjalës, është shumë globale dhe përmbledhë rreth 50 000 Oda, në të gjitha anët e botës. Meqenëse e njerëzishmja dhe toleranca ende s’gjejnë hapësirë në vendet diktatoriale të planetit, Muratoria e Lirë nuk ekziston atje. Kjo, pikërisht në këto vende ku duhet të ishte e domosdoshme dhe sa më parë.

Muratori i Lirë, që mundohet të jetojë me ndjenjën e humanizmit në shpirt, i çmon anëtarët e të gjitha Odave kudo nëpër botë si miqtë dhe vëllezërit e tij. Njëkohësisht, ai trajtohet e pranohet si mik dhe vëlla nga të gjithë Muratorët e Lirë të botës.

Për t’iu mundësuar një shikim në efektshmërinë dhe brendësinë e një ode, pa bërë aspak ndonjë tradhti për fshehtësitë e saj, po ju tregoj se ç’kam mësuar në të:

Kam mësuar të dëgjoj. Kam mësuar të dëgjoj edhe atëherë kur të tjerët kanë pasur opinione dhe mendime në kundërshtim me opinionet e mia. Vazhdimisht mundohem të shikoj në vetvete se çfarë paragjykimesh më kanë mbetur ende.
Mundohem që si në rrethin familjar, ashtu edhe në atë të punës problemet që dalin t’i zgjidh në mënyrë humane. Jam kundër dhunës. Përveç gjithë këtyre, në Muratorinë e Lirë kam fituar një numër të pafund shokësh, prej të cilëve kam mësuar shumë. Në këto rrethe miqsh argumentohet dhe askush nuk grindet me njëri-tjetrin. Aty kam gjetur hapësirë për lirinë, njerëzoren dhe paqen. Por, le t’i kthehemi edhe një herë titullit të kësaj parathënieje të vogël:

Çfarë është Muratoria e Lirë? Shpresoj që tashmë t’i jem përgjigjur kësaj pyetjeje. Megjithatë dëshiroj të jem pak më i qartë: Muratoria e Lirë e shikon gjithë njerëzimin si një familje të vetme. Dramaturgu i parë që ka nxjerrë kombi gjerman, Gothold Efaraim Lesing (Gotthold Ephraim Lessing), në dialogun e tij, “Ernst & Falk”, thotë: “Po të mos ekzistonte, Muratoria e Lirë duhej zbuluar patjetër”.

Juaji,
Aleksander GIESE

Komento